Kurti: Nuk duhet të ketë fonde nga BE-ja pa vlerat e saj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk duhet të ketë fonde të Bashkimit Evropian pa vlerat që unioni i përfaqëson.
Deklarata e Kurtit erdhi gjatë një interviste për mediumin amerikan “Bloomberg”, të mërkurën.
Ai ka folur edhe për samitin e mbajtur në Slloveni – organizuar nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Një fond prej 30 miliardë euro do të ndahet për shtatë vitet e ardhshme – si investim i BE-së në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pos kësaj, Kurti tha se BE-ja duhet të kthehet në esencën e saj – që është zgjerimi.
“Dhe kurdo që thuhet zgjerim i BE-së, së pari dhe para së gjithash është Ballkani Perëndimor, me të cilin BE-ja arrinë harmoninë e vetë si kontinent”, deklaroi Kurti.
Por, gjatë samitit, kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel refuzoi të jepte një datë që kur do të anëtarësohen këto shtete në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se “është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’ju bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta”. /Shqip.com