Lajme

Kurti: Nuk do të lejojmë krijimin e Republikës Sërpska në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës.

Këto komente ai i bëri në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” dhënë gjatë forumit ekonomik në qytetin grek të Delphit.

Ai shtoi se nuk e ka parë ende draftin që do të paraqitet në Bruksel.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”, tha ai.

Kurti tha se “ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, theksoi ai.

Kurti, tutje tha se sheh ngjashmëri me Rusinë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje.

“Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, shtoi Kurti.

Ndër të tjera, Kurti theksoi se iu shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik, përkatësie sociale apo përkatësie fetare dhe se në Bruksel do të sigurojë kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës.

/Shqip.com