Lajme

Kurti nga SHBA: Kërkuam që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme në Kosovë

Baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel

Kurti ka thënë se ndonëse Kosova nuk është në NATO, dëshiron të anëtarësohet në programin e partneritetit për paqe.

Ai ka thënë se është absurde që Serbia e cila synon status neutral ndaj zhvillimeve në Ukrainë, të ketë një program të tillë me NATO-n, e Kosova jo.

Në këtë kontekst, Kurti ka kërkuar që Bondsteel, baza ushtarake amerikane në Kosovë të bëhet bazë e përhershme.

“ Nuk do ta kisha quajtur trysni, unë kam bashkëbisedim në formë partneriteti me të gjithë, barazi të palëve në çdo situatë dhe Republika e Kosovës ndonëse nuk është në NATO, dëshiron të anëtarësohet në programin e partneritetit për paqe. Është absurde që Serbia ka program të tillë me NATO-n e nuk ka Kosova. Serbia e cila pretendon një lloj neutraliteti karshi invazionit rus në Ukrainë, që është një gjë e shpifur dhe ne kërkuam që të ndihmohet Kosova për programin e partneritetit për paqe dhe gjithashtu kërkuam që baza ushtarake amerikane e cila ndodhet në Bondsteel, në pjesën lindore të Kosovës ta ngrisë statusin e saj në një bazë të përhershme” , tha ai për VOA-n.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti ka thënë se nuk ka hapa pas nga ana e Kosovës, pasi që Serbia është ajo që nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe refuzon që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Presidenti Joe Biden e ka theksuar mirë që marrëveshja ligjore duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, unë jam pro një marrëveshje me njohje reciproke, Serbia është ajo që duhet të ndryshojë. Përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti serb thotë që masakra e Reçakut nuk ka ndodhur, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi një marrëveshje të tillë. Neve na nevojiten marrëdhënie normale me Serbinë, por për këtë duhet të ndryshojë Serbia, Kosova është në rregull, dhe në këtë insistojmë dhe konsiderojmë që tash është koha që Ballkani Perëndimor të integrohet brenda BE-së. Serbia me këtë qasje po e shndërron veten si një Bjellorusi të Ballkanit dhe këtu SHBA-ja e ka rolin përfundimtar për ta ndryshuar Ballkanin për të mirë”, ka thënë ai.

Kreu i Qeverisë është deklaruar edhe rreth takimeve të tij me investitorë të huaj në Kosovë, për çka tha se vizita e tij në SHBA po ndodhë për të filluar negociatat për marrëveshje me korporatën amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e cila vlen mbi 200 milionë dollarë./Shqip.com