Kurti nga Parisi: Serbia të distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe e tashmja e Putinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit për Paqe që po mbahet në Paris, ka folur për raportet e fundit mes Kosovës e Serbisë dhe përmbajtjes së marrëveshjes finale.
Kurti ka theksuar se Kosova ka qenë pala konstruktive në dialog, por është Serbia ajo që duhet të ndryshojë.
“Bashkimi Europian po përpiqet fort që të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet të normalizohen marrëdhëniet. Kosova është vend normal, por më duhet ta pranoj që marrëdhëniet e vendit tonë me Serbinë nuk janë normale dhe ato duhet normalizuar. Dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës. Pra, bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve që nënkupton marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obligative me në qendër të saj njohjen reciproke. Sigurisht që mund të ketë pika të tjera në atë marrëveshje, por njohja e ndërsjellë do të jetë pika qendrore”, ka thënë kryeministri Kurti.
Tutje, i pari i ekzekutivit para të pranishmëve është shprehur se, dialogu duhet të jetë parimor dhe i barabartë.
“Në anën tjetër, besoj që Serbia duhet të distancohet së pari edhe nga e kaluara e Millosheviqit edhe e tashmja e Putinit, sepse kjo do të na ndihmonte shumë për të arritur marrëveshjen, për t’i dhënë drejtësi viktimave dhe për të arritur atë marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, u shpreh Kurti.
Në vigjilje të Forumit të Paqes, Kurti është takuar gjatë ditës edhe me shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell.
“Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
/Shqip.com