Lajme

Kurti: Nevojitet mobilizim që raste të tilla si ai i 35-vjeçares të mos përsëriten përsëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëherë për rastin ku një 35 vjeçare u vra disa ditë më parë nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.

Sipas Kurtit, nevojitet mobilizim në rastet të tilla në mënyrë që raste të tilla mos të përsëriten përsëri.

“Po, ne duhet të vazhdojmë në njërën anë, fushatën institucionale kundër dhunës në familje dhe kundër vrasjes së grave që është shndërruar tash në një lajm të shpeshtë, e që është e papranueshme për ne dhe që duhet të dënohet nga të gjithë. Në anën tjetër mekanizmat dhe organet shtetërore duhet të veprojmë për të gjitha këto raste e situata do të thosha në mënyrë që mos të ketë asnjëherë përsëritje të këtilla mizore e kaq të rënda për gratë, për shoqërinë tonë e në veçanti për ato familje. Andaj, prokurori, gjyqësori, policia, ministria e Drejtësisë që të gjithë duhet të mobilizohen”, theksoi Kurti.

Këto komente Kurti i bëri gjatë prezantimit të Buxhetit të Qeverisë së Kosovës para qytetarëve të Komunës së Gjakovës, raporton Kosovapress.

Ndër të tjerash, për vitin e ardhshëm Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 11 milionë euro për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Mbi 2.5 milionë euro janë planifikuar në fushën e arsimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe 1 milion tjera në fushën e sportit, kulturës dhe trashëgimisë, nga ministria përkatëse.

Më tutje Kurti është shprehur se buxheti për Komunën e Gjakovës do të jetë 31,558,422 euro.

Ai tha se në Universitetin e Gjakovës do të ndajnë 1.2 milionë euro, sipas tij kjo do të vazhdojë edhe për dy vite tjera pas vitit 2023.

Kurti prezantimin e buxhetit për vitin 2023, pos Gjakovës e ka prezantuar edhe në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Ferizaj.

/Shqip.com