Lajme

Kurti në takim me sekretarin e INTERPOL-it: Kosova e përkushtuar për shtet ligjor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock.

Siç ka njoftuar Zyra e kryeministrit, takimi është bërë në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock. Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, ishin temat kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

 Sipas këtij njoftimi thuhet se Kurti ka njoftuar Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional”.

Tutje, thuhet se në këtë takim kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për shtet ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

/Shqip.com