Lajme

Kurti në takim me Lajçak: Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet tutje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Në njoftimin nga kryeministria u bë e ditur se kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. 

“Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë takimi u diskutua se në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Sipas njoftimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, përveç takimit me Kurtin, gjatë këtyre ditëve diplomati sllovak do të takohet edhe me liderë të opozitës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Vizita e Lajçak u tha se mund të jetë edhe në kuadër të përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, i cili është paralajmëruar se mund të ndodhë së shpejti./Shqip.com

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak