Lajme

Kurti: Në pikat kufitare vlen reciprociteti me Serbinë, kemi insistuar për liri të plotë të lëvizjes

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se në pikat kufitare po vlen reciprociteti me Serbinë.

Përmes një prononcimi për media pas ceremonisë së kremtimit të 23 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti tha se kanë insistuar për liri të plotë të lëvizjes.

“Në pikat kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të kuptonte liri të plotë të lëvizjes meqenëse liria e cunguar nuk është liri dhe këtë gjë zëvendëskryeministri është duke e adresuar edhe me ndërmjetësit”.

Tutje, Kurti tha se liria e lëvizjes vlen padyshim në kufi si dhe e kupton që nuk mund të ketë liri të pjesshme.

“Por në pikat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë padyshim që ajo vlen, veçse unë e kuptoj që nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumente personale kështu, duke lehtësuar lirinë e lëvizjes në mes të dy vendeve./Shqip.com