Lajme

Kurti në Paris takohet me liderë nga rajoni e bota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Paris në kuadër të Forumit të Paqes.

Gjatë qëndrimit atje, Kurti ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Facebook, se ka zhvilluar takime e biseda me liderë të ndryshëm nga rajoni e bota.

Lexo edhe:
Kurti dhe Gjukanoviq takohen në Paris

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, shefi i qeverisë kosovare të enjten mbrëma është pritur në darkë solemne nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron.

Gjatë kësaj darke, janë takuar edhe me ZëvendësPresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff.

“Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me Presidentët Gjukanoviq e Komshiq e deri te Presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel e Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell”, ka shkruar më tej Kurti në Facebook.

Forumi i Paqes është duke u mbajtur në Paris nën patronatin e presidentit francez, Emanuel Macron.

E pranishme në këtë samit është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq./SHQIP.com