Lajme

Kurti: Në dy vite kemi arritur atë që kemi synuar

Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se në dy vitet e para të këtij mandati është arritur ajo që është synuar.

Ai është shprehur se në qeverisjen e tij ekziston një disiplinë fiskale.

“Janë dy vitet e para dhe janë të pakrahasueshme me më herët”, është shprehur Kurti në Rubikon me Adriatik Kelmendi.

Vitet 2021 dhe 2022 janë vitet me rritjen mesatarisht 7.0 përqind që është dyvjeçari më i suksesshëm në Kosovën e pavarur. Kemi pasë edhe disiplinë fiskale, nga 1.5 milionë, kanë shkuar në 2.5 miliardë në dy vjet dhe është e pashembullt”, ka theksuar Kurti.

Ai ka deklaruar se gjatë këtyre dy viteve janë dyfishuar investimet e huaja direkte derisa ka thënë se tek qytetarët deri më tani janë shpërndarë 842 milionë.

Sipas Kurtit, opozita nuk po i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese për të ruajtur kushtetutshmërinë, por veç për të treguar opozitarizëm politik.

“Kam hall që reformat tona të shumë anshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten dhe në këtë mënyrë nuk jam i bindur që bëhen nga motivi i ruajtjes së kushtetutshmërisë sa nga një opozitarizëm politik”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit foli edhe për çmimet e ngritura teksa për ligjin e vendosjes së çmimit tavan tha se opozita nuk po e dërgon në Kushtetuese.

“Ju folët për çmimet e ngritura, po ta kishim ligjin për tavanin e çmimeve që nuk qohet në Gjykatën Kushtetuese ashtu siç dihet, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta. Le të jetë aspekti normativ dhe i dobisë, nëse ankohemi për çmime të larta kemi një ligj që po pret të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për t’ju vënë tavanin këtyre çmimeve. Po të ishte ky ligj të fuqi pasi ka shumë ligje që opozita nuk i qon në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se nuk i ndihmohet atyre që e kanë humbur shpresën duke iu thënë se e “kanë humbur shpresën”.

“Nëse është dikush afër humbjes së shpresës se ka edhe të tillë, nuk ndihmon t’ju themi se po e humbin shpresën. Është e rëndësishme edhe ky aspekt. Në thelb të çështjes është mungesa e prodhimtarisë vendore, struktura e ekonomisë tek ne, e cila është bazuar shumë në import, konsum, në financa por jo në përpunim dhe prodhim. Dhe, vetëm tash më në fund kanë filluar të rriten eksportet dhe të hapen vendet e reja të punës”, tha ai në Rubikon në Klan Kosova.

/Shqip.com