Lajme

Kurti takon Metsolan,flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në Strasburg nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm i Parlamentit Evropian, Alessandro Chiocchetti dhe stafi i saj.

Në këtë takim, temë e diskutimit ishte anëtarësimi i Kosovës në BE.

“Me Presidenten Metsola, u diskutua kryesisht për raportin dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin. Ai e falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e aplikimit të Kosovës në BE dhe në Këshillin e Evropës, krahas asaj për liberalizimin e vizave”, thuhet në komunikatën për media.

Më tutje është bërë e ditur se kryeministri Kurti e njoftoi Presidenten Metsola për arritjet e sukseset e deritanishme dhe planet për gjysmën e dytë të mandatit. Theks iu dha përmirësimeve në sundimin e ligjit, luftimit të korrupsionit dhe indikatorëve demokratikë, por edhe trendit pozitiv të indikatorëve ekonomikë të dy viteve të fundit.

Gjithashtu, u diskutua edhe për propozimin Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara dhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com