Lajme

Kurti merr vendim rreth ftesës së Borrellit për takim

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, lidhur me bisedimet me Serbinë.

Në një deklarim për mediumin Shqip.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, njoftoi se Kosova në vazhdimësi ka treguar gatishmëri për takime të nivelit të lartë politik.

Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmërinë tonë për takime të nivelit të lartë politik me agjendë të qartë paraprake dhe me qëllim diskutimet për marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi qenë dhe jemi të vullnetshëm, të gatshëm dhe të përgatitur”, ka thënë Kryeziu për Shqip.com.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar një datë në të cilën ditë do të mbahej takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ditëve të fundit u krijuan tensione mes palës kosovare dhe asaj serbe. Për ketë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se do t’u kërkoj liderëve t’i shmangen çdo lloj përshkallëzimi.

Unë do t’u kërkoj liderëve një mbështetje të fortë për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi dhe do t’u kërkoj që të punojnë seriozisht në këtë propozim, që është e vetmja mënyrë për të provuar zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Borrell.

Tutje, ai ka thënë se propozimi për të dy palët është në tryezë.

Unë i kam bërë thirrje dy liderëve [të Serbisë dhe Kosovës] që të kthehen në Bruksel – së shpejti, pas disa javësh – në mënyrë që të shtyjnë patjetër këtë propozim”, ka thënë ai.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffry Hovenier, ka thënë se SHBA do të mbështetë plotësisht hapat e ardhshëm të propozimit evropian për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Gjithashtu, edhe Derek Chollet, këshilltari i Lartë i Departamentit të Shtetit, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka bashkëbiseduar me kryeministrin, Albin Kurti. 

Mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet.

Duke shtuar se, Qeveria e Kosovës ka qenë të gatshëm për të diskutuar me Serbinë qysh nga muaj korrik i vitit të kaluar.

/Shqip.com