Lajme

Kurti merr mbështetje nga delegacioni shqiptarë për anëtarësim në KiE dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me një delegacion nga Shqipëria të cilët dhanë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, ky delegacion ishte konkretisht nga Komisioni për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë e kryesuar nga Jorida Tabaku.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku e i përbërë nga deputetë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Delegacioni ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi. Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën integrimit evropian dhe politikës së jashtme dhe për nevojën e përhershme për bashkërendim dhe koordinim”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Krahas mbështetjes së ofruar për Kosovën, në këtë takim thuhet se u diskutua edhe për marrëdhëniet në mes dy vendeve.

“Delegacioni dha mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në maj të vitit 2022. U bisedua gjithashtu edhe për marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve dhe komunikimin e afërt ndërinstitucional, si dhe për zbatueshmërinë e marrëveshjeve bilaterale, me theks ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar”.

Tutje, thuhet se Tabaku në emër të delegacionit e uroi kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës.

/Shqip.com