Kulturë

Kurti: “Manifesta 14 Prishtina” një mundësi e mirë e promovimit të vlerave të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 89-të të Qeverisë së Kosovës ka diskutuar për festivalin 100 ditor “Manifesta 14 Prishtina”.

Kurti, këtë e ka parë si mundësi të mirë për të promovuar kulturën, vlerat e artin e vendit, ku tha se kjo është dëshmi e shoqërisë për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për të shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor.

“Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë tonë, të komunitetit artistik dhe institucioneve tona për të mirëpritur një numër kaq të madh të artistëve dhe për të shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Manifesta do të jetë një mundësi tejet e mirë e promovimit të vlerave, të vendit dhe të artit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka deklaruar se nga e premtja Prishtina do të jetë nikoqire e Manifestës, e cila po shfrytëzon lokacione të ndryshme për intervenime artistike.

Nga e premtja vendi ynë për herë të parë  do të jetë nikoqir i “Manifestës” që ka një program 100 ditor që përfshinë 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendor e ndërkombëtar”, tha Kurti.

“Manifesta 14 Prishtina”, do të zgjasë deri në nëntor të këtij viti.