Lajme

Kurti kujton Ukshin Hotin: Ai është i zhdukuri maksimal, ai që u zhduk me ndërgjegjen e tij të pasur dhe me dijen e tij të lartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Ukshin Hotin.

Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Kurti është shprehur se Hoti është i zhdukuri maksimal, është ai që u zhduk me ndërgjegjen e tij të pasur dhe me dijen e tij të lartë.

“Gjithnjë do të shprehemi për Ukshin Hotin, sepse ai është i zhdukuri maksimal, ai që u zhduk me ndërgjegjen e tij të pasur dhe me dijen e tij të lartë. Ne e dimë se një objektor i tillë sjelljeje, se një orientues i tillë fryme duhet në çdo kohë, sidomos në këto të paqeve të ngarkuara dhe pavarësive të dëmtuara. Sikur ta kishim mes nesh, do të vinte pranë nesh, pranë teje, meje, të gjithëve neve. Para neve, pa na kthyer shpinën. Në çdo datë të tij apo të heronjve të tjerë të mendimit e të veprimit, vendet bëhen të gjalla, në qytet do të kishte qendërzime bisedash rreth temës së lirisë dhe politikës” ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit çdo ditë është njëjtë në nderim të Hotit edhe mendimit për të

“Njëjtë është çdo ditë në nder të Ukshinit në shtëpinë e tij në Krushë, por njëjtë është në meditimin tim për të. Sepse çdo përsiatje e ka për shkak një sugjerim të tij. Ja për shembull, kur në një paragraf, hedh dy dekada përvojë në rrethet intelektuale. Po e përmbledh atë këtu në formën e një diagonaleje ekzistenciale edhe kuptimore: “Gjykuar sipas qëndrimeve dhe aktiviteteve rreth Kosovës (në vështrim të gjerë) duket sikur bëhet i dukshëm synimi i amerikanëve mbi bashkimin e Evropës përmes evropianizimit të Gjermanisë… Analogjikisht, bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, pa dyshim se rusët do ta përjetonin si gjermanizim të tepruar të Evropës”, ka shkruar më tutje Kurti

Është në virtytin e të zhdukurit të jetë i gjallë mes nesh. Është në vetinë e të zhdukurit maksimal të jetë orientuesi më i gjallë mes nesh ka shtuar më tutje Kurti.