Lajme

Kurti: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Masakrën në Studime të Vushtrrisë, teksa ka thënë se krimet e luftës nuk parashkruhen e as nuk vjetërsohen.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka deklaruar se gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet asnjëherë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

“Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Ai tutje i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë në Kosovë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.

“Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka përfunduar Kurti.

/Shqip.com