Lajme

Kurti: Kosovës do të duhej t’i liberalizoheshin vizat në vitin 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kosovës do të duhej t’i liberalizoheshin vizat në vitin e ardshëm pasi që ka ardhur koha për një gjë të tillë”.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në diskutimin “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, që është mbajtur në Austri.

“Unë mendoj se është koha e duhur për Kosovën që të kemi liberalizim të vizave diku vitin e ardhshëm. Kjo nuk varet natyrisht nga ne. Por kurdo që takohemi kolegët evropianë dhe miqtë të gjithë e shohin si padrejtësi të madhe për Kosovën dhe në anën tjetër BE ka më shumë vetëbesim dhe kjo përkthehet në një besueshmëri më të madhe në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Tutje, në këtë diskutim, ai foli edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, për të cilën tha se ishte më shumë “tentim për marrëveshje të shpejtë sesa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij, njëra nga pikat më pozitive të nënshkruara në këtë marrëveshje, ishte njohja reciproke me Izraelin.

“Sa i përket marrëveshjes së shtatorit në Uashington, ka aq shumë elemente në atë marrëveshje, nuk po them se secili element në këtë marrëveshje nuk është i mirë, siç është njohja reciproke me Izraelin siç ishte pika e fundit dhe është implementuar dhe është pozitive.

Por prapë më duhet të them se ky lloj zotimi unilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim që të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt.

Unë e shoh këtë më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendase të ish-presidentit sesa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara”, shtoi kryeministri kosovar./SHQIP.com