Lajme

Kurti: Kosova ka qeveri pa lidhje me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se për herë të parë, Kosova ka Qeveri pa kurrfarë lidhje me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij, derisa sërish kritikoi prokurorët e gjyqtarët.

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’i kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, tha Kurti.

Ai foli edhe për procesin e Vettingut, ku tha se reformat janë të domosdoshme.

“Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik”, ka deklaruar Kurti.

Postimi i plotë:

Fjala ime në festën e fundvitit me prodhime vendore organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!:

Të dashur miq e pjesëmarrës në këtë festë të fundvitit, mirë se keni ardhur në këtë organizim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, një festë me prodhime vendore, një festë që flet edhe këndon shqip.

E di fort mirë që në këtë sallë sporti nuk kemi mundur të mblidhemi të gjithë, për shkak se shumë aktivistët e mbështetësit e Lëvizjes nuk janë me neve sonte por me zemër jemi pranë njëri-tjetrit edhe këtu edhe gjithmonë sa herë ka festa e gëzime, ashtu qysh jemi pranë njëri-tjetrit edhe kur ka nevojë për beteja, edhe kur bënim protesta në mbrojtje të vendit tonë e të popullit tonë, të tokës tonë e të drejtave tona.

Sonte, këtu me neve, ka shumë deputetë e ministra, kryetarë komunash e gazetarë, përfaqësues të bizneseve e anëtarë të shoqërisë civile, diplomatë e shumë të tjerë të cilët janë ftuar nga aktivistët tanë për të festuar së bashku. Gëzuar Vitin e Ri 2024 të gjithëve, mirë se keni ardhur në këtë ndejë të Lëvizjes, ku uroj të njihemi e të krijojmë miqësi të forta e korrekte me njëri-tjetrin.

Të nderuar të pranishëm. Të dhënat e ekonomisë në Kosovës tregojnë se ka vend për optimizëm. Jemi vendi me rritje ekonomike më të madhe në rajonin tonë. Natyrisht, e dimë se ka edhe vështirësi, sepse ne e kemi nisur prej një starti shumë të ulët, jo prej zeros po prej minusit. Por, ka edhe arsye për festë. Sepse ishte vit i qeverisë sonë progresiste me stabilitet institucional, që anti-korrupsionin e bëri rritje ekonomike, kurse lirinë për qytetarët e bëri zhvillim shoqëror. Pikërisht besimi i publikut në qeverisjen demokratike solli edhe dividendë ekonomike për shtetin dhe për popullsinë.

Progresi ynë të dashur aktivistë nuk ka pasur dysheme. Sepse Kosovën na e patën lënë në bodrum. Sot, progresi ynë nuk ka tavan. Kur rritesh, rriten edhe mundësitë për t’u rritur. Buxheti në vitin e ardhshëm 2024 është 35% më i lartë sesa ai në vitin 2021. E në vitin e ardhshëm Bruto Produkti Vendor do të jetë mbi 10 miliardë apo 50% më e lartë se para tri vjetëve.

Ndryshimet e mëdha si këto bëhen me njerëz që kanë zell, për të mos u ndalur asnjëherë e deri në fund. Për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe sidomos pas marrjes së saj. Qeveritë e tilla i dalin hakut popullit. E tillë është qeverisja jonë sepse të këtillë na do neve populli. Ju falemnderit për mbështetjen e vazhdueshme që na ka bërë të pandalshëm.

Sot, jemi të vendosur si ditën e parë në detyrë dhe si ngahera, që të bëjmë çdo gjë të nevojshme që jetët e secilit shtetas të Kosovës dhe të secilit njeri që jeton në Kosovë, të ndryshojnë pozitivisht në aspektin ekonomik e që vendi ynë të ecë përpara me ritme gjithnjë e më të shpejta drejt zhvillimit.

Për këtë arsye edhe buxheti i Kosovës pra është rritur nga viti në vit, duke kapur rekord jo vetëm në shifrën nominale, por edhe rekord të rritjes së tij. Një pjesë e madhe e buxhetit, afër 900 milionë euro, do të jenë të dedikuara për investime kapitale gjatë vitit 2024. Këto do të jenë në funksion të ndërtimit të infrastrukturës më moderne që e ka pasur ndonjëherë Kosova. Këto gjithashtu përveç rrugëve e autostradave do ta lidhin Kosovën edhe me shumë vendet të tjera posaqërisht me vendet fqinjë ku do të kemi edhe investime për rrjetin hekurudhor modern, që na bën pjesë të hekurudhave evropiane, si dhe për telekomunikacion me rrjetin 5G, apo për energji diellore, me parqe diellore, pra me energji të qëndrueshme e të ripërtrishme.

Punësimi te gratë është rritur nga 110 mijë në 140 mijë, te rinia nën 25 vjeç është rritur nga 29 mijë në mbi 61 mijë, kurse në përgjithësi nga 350 mijë në mbi 410 mijë të punësuar, apo mbi 17% rritje e punësimit për më pak se tre vjet.

Në anën tjetër, përmes rishpërndarjes ekonomike, me masat tona mbështetëse e subvencionim, jemi munduar që të bëjmë drejtësi sociale dhe t’u dalim në ndihmë si shtet atyre që kanë nevojë e që u takon sidomos tani kur bota po kalon një krizë të shumëfisht e posaqërisht atë me inflacionin. Shtesat për fëmijë, për nënat lehona, shtesat e njëhershme jo vetëm një herë për pensionistë, bursat për studentë, subvencionet e shumëfishuara për bujqit tanë, për pajisjet efiçiente për familjet, për bizneset ishin vetëm disa prej ndërhyrjeve tona si qeverisje të cilat natyrisht se po sjellin rezultat dhe po ndikojnë direkt në ekonomitë tona familjare.

Sidoqoftë ne nuk e harrojmë që jemi popull me origjinë kryesisht fshatare, dhe ende gjysma jonë si popullsi jeton në fshat. Fshati ka qenë në vëmendjen tonë të vazhdueshme, dhe për fermerët, bujqit e blegtorët kemi patur dhe vazhdojmë të kemi një program intensiv subvencionesh, që ka mundësuar rritjen edhe sasiore edhe cilësore të prodhimit vendor, e që shumë nga këto prodhime i kemi sot në këtë ndejë, falë bizneseve tona patriotike. Gëzuar të gjithëve me prodhime të Kosovës, e mos harroni, për festa blini shqip e konsumoni prodhime vendore.

Të nderuar të pranishëm,

Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik.

Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’I kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë.   

Në sektorin e mbrojtjes, është rritur numri i trupave në Kosovë, do të rritet edhe për 600 ushtarë të ri në 2024, e është investuar shumë më tepër në mirëpajisjen e tyre. Ushtarëve e oficerëve tanë u uroj një vit të ri të mbarë, në familjet e tyre të vogla, por edhe në familjen e tyre të madhe që është ushtria jonë, FSK-ja jonë moderne dhe e aftë. Ushtria dhe policia janë garancione jo vetëm të sigurisë sonë shtetërore, jo vetëm të drejtësisë të të drejtave por njëkohësisht edhe e progresit të cilin po e përjetojmë dhe jetojmë së bashku.

Sa i përket politikës së jashtme, mesazhi ynë i pandërprerë është ai i bashkëpunimit, i paqes dhe i integrimit. Fatkeqësisht vazhdojnë të jenë në fuqi masat e padrejta ndaj nesh, e nuk ka masa ndaj atyre që strehojnë dhe armatosin terroristë. Megjithatë ka patur lajme të mira edhe nga politika e jashtme, agjenda integruese e Kosovës është përparuar dhe kemi patur disa anëtarësime të vlefshme në organizata ndërkombëtare e gjallërim aktivitetesh diplomatike në shumë vende të botës.

Të nderuar të pranishëm,

Jetojmë në një kohë kundërthëniesh dhe krizash, si njerëzim përjetuam pandeminë, tash luftëra të mëdha që shtohen për nga numri e intesiteti, e me shumë viktima, e në shumë vende politika po tronditet prej rritjes së forcave të ekstremit të djathtë që kërkojnë ndryshime radikale shpesh edhe me implikime gjeopolitike. Edhe në Kosovë kemi patur sfida. Viti 2023 ka qenë një vit jo i lehtë në rrafshin e sigurisë, sidomos në veri të vendit, për arsye që i dimë sepse i kemi parë e që nuk dëshiroj t´i përsëris këtu. I kemi tejkaluar këto sfida me sukses, për shkak të angazhimit institucional dhe veprimit profesional të të gjitha hallkave të institucioneve të sistemit. Ata që kanë menduar se me sfida të tilla do ta nxjerrin Kosovën të dobët, e kanë parë tashmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Kosova është edhe e forte edhe e vendosur, se është në gjendje të mbrojë vetveten dhe njerëzit e saj, të të gjitha komuniteteve pa dallim.

Aktori kryesor që dëshiron destabilizimin e Kosovës sonë dihet se qëndron në Beograd, megjithatë dua të theksoj sonte siç e kemi potencuar gjithmonë në Lëvizje tonë, fajin për këtë nuk e kanë të gjithë serbët e Kosovës e as të gjithë serbët e Serbisë. Ne e dimë që shumica dërmuese e popullit serb ashtu si edhe e çdo populli në botë, dëshiron paqe në jetën e vet dhe paqe me fqinjët e vet. Në këtë kohë festash të fundvitit ku zakoni e lyp të urohet plotësim i dëshirave, unë i uroj popullit serb në Serbi të gjejë drejtimin kah plotësimi i dëshirave siç janë  demokracia, drejtësia e paqja, ndërkaq serbëve të Kosovës u uroj integrim të plotë dhe zhvillim krah për krah me të gjithë neve, sepse Kosova e ka të ardhmen e ka të sigurt, në gjirin e vendeve demokratike, evropiane e të zhvilluara. Kosova e ka të ardhmen e sigurt sepse e tillë është vendosmëria jonë, si shoqëri, si qeveri, si shtet, aktualisht dhe historikisht.

Të dashur aktivistë, qytetarë, e zyrtarë,

I përshëndes gazetarët që kanë raportuar çdo ditë nga vendet ku gjatë vitit 2023 pati përpjekje të krijohen vështirësi, tensione, pengesa, sfida për Kosovën tonë të dashur. I përshëndes edhe katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, që po dëshmojnë çdo ditë se puna e tyre është në të mirë të komunitetit. Kryetarët e komunave në veri të Kosovës janë shqiptarë, por me projektet e tyre zhvillimore po çojnë atje investime e institucione që kurrë përpara nuk janë bërë. Edhe një herë e përsërisim, nuk duam që t’i vlerësojmë zyrtarët e komunave dhe as të institucioneve në përgjithësi nga etnia, duam që ata t’i vlerësojmë, t’i respektojmë, t’i shpërblejmë për nga punët që ata bëjnë. Etnicizimi i skajshëm i politikës është nocion i prapambetur, ndërsa bashkëpunimi mes etnive dhe jo ngritja e mureve, është vizioni ynë për të ardhmen. I ftoj edhe diplomatët e huaj, të bashkëpunojnë me ne për të çuar përpara këtë vizion integrues e bashkëpunues, e të mos e mbajmë vendin dhe rajonin peng të vizioneve të shkuara që kanë premtuar ndarje e territorializim mbi baza e vija etnike.

Na mbetet shumë për të bërë, por ne nuk do të ndalemi dhe ditë pas dite do të forcojmë institucionet tona e do ta fuqizojmë Republikën e Kosovës. Ndryshimet që ndodhin gjatë një dite nuk duken, ato që ndodhin përgjatë një viti duken pak, por ato të cilat bëhen përgjatë një mandati qeverisës janë të dallueshme, e këto do të prezantohen nga ne gjatë vitit që vjen 2024, i cili është edhe viti i katërt, teksa po i afrohemi zgjedhjeve të reja.

Në opinionin publik Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet forca fituese, por kjo nuk mjafton. Është puna e përditshme e aktivistëve tanë, që angazhohen për evidentimin e problemeve në vendet ku ata jetojnë e banojnë e punojnë, në fshatra e në lagje, kjo punë ia jep Lëvizjes forcën jetësore dhe betejat e fituara. Prandaj të dashur aktivistë, ta mbajmë afër njëri-tjetrin, ta vazhdojmë punën, t’i vazhdojmë betejat. Nuk ka te ne “Bac u Kry”. Puna e një dite, pasohet nga puna e ditës së nesërme, puna e një viti pasohet nga puna e vitit të ardhshëm. Puna e bën njeriun, e ne nuk mund të ndalemi së punuari për vendin tonë, për kombin tonë, për shoqërinë tonë, për Republikën tonë, e për ardhmërinë tonë.

Në vitin 2024, le të jetë një vit i solidaritetit me qytetarët dhe i solidaritetit tonë të brendshëm. Le ta flakim çfarëdo dromce lakmie apo çfarëdo grimce hatërmbetje. Mos u krahasoni asnjëri me njëri-tjetrin, duajeni njëri-tjetrin; krahasohuni me vetveten dhe bëhuni më të mirë se vetvetja.

Të dashur aktivistë të Lëvizjes dhe zyrtarë të institucioneve,

Kontributin dhe sakrificën i kemi detyrë. Gëzimi që na e shkakton rezultati për qytetarët i angazhimit tonë është i vetmi shpërblim që duhet ta duam.  Kontributin e japim me punë. Sakrificën e bëjmë me guxim. Festën e mbajmë me këngë. Kontribut, sakrificë dhe festë. Sepse: punë, guxim dhe gëzuar Viti i Ri 2024!

Ju falemnderit të gjithëve, secilës e secilit, dhe mos harroni duajeni njëri-tjetrin. Urimet më të përzemërta për mbarësi e shëndet në familjet tuaja e të gjithë të dashurit tuaj! Gëzuar!

/Shqip.com