Lajme

Kurti: Kosova është vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, për kryeministrin Albin Kurti është vlerë e shtuar për Këshillin.

Kurti ka thënë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë e Ligj.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Lexo edhe:
Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Theksojmë se më 12 maj, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Përmes anëtarësimi të Kosovës në KE, qytetarëve do të ju mundësohet të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut.

Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit.

Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

Më 16 mars, Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës. Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin sulmuan Ukrainën./Shqip.com