Lajme

Kurti: Kosova duhet të ketë një strategji të energjisë të koordinuar mirë

Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri , Albin Kurti ka deklaruar sot se Kosova duhet të ketë një strategji të energjisë të koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë, shkruan SHQIP.

Ai ka thënë së ky koordinim duhet që të rezulton me rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Këto deklarata Kurti i bëri në rastin e hapjes  punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me ç’rast theksoi se me implementimin e strategjisë së energjisë pritet të krijohen vende të reja të punës dhe të krijohen hapësira për investime.

Ai po ashtu tha se Kosova sikurse shumë vende të vogla në zhvillim, sot e gjen veten në mes të një krize klimatike globale të shkaktuar nga mosplanifikimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i burimeve natyrore, për çka theksoi se vihet sërish në pah nevoja për bashkëpunimin e të gjithëve për një kauzë të përbashkët.

“Meqë jemi në shërbim të qytetarëve, pritet që kjo strategji me implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe të krijojë mundësi përfitimi për ta”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se një tranzicion i drejtë dhe i mbështetur nga të gjithë aketerët është çelësi për ta bërë një tranzicion të përballueshëm për qeverinë, qytetarët dhe vet ekonominë e Kosovës.

Rizvanolli tha se sfidat e sektorit energjetik në Kosovë janë te shumta, derisa theksoi së investimet në në këtë sektorë jo vetëm që kërkojnë fonde e kohë, por duhet të jenë mirë të planifikuara mire.

“Për zhvillimin e një politike të qëndrueshme energjetike në vendin tonë, është qenësore që të identifikojmë skenarët e duhur për një tranzicion energjetik dhe analiza e tyre kritike duke u bazuar në përputhshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe përballueshmërinë financiare”, tha ajo./SHQIP.com