Kulturë

Kurti: Kontributi i Dua Lipës për Kosovën është i pamatshëm

Kryeministri Albin Kurti dhe Dua Lipa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij yllin botëror Dua Lipa dhe babanë e saj, Dukagjin Lipa.

Kurti u ka thurur fjalë lavde të dyve për organizimin e festivalit “Sunny Hill”.

Kreu i qeverisë ka shtuar se festivali është mbajtur “aty ku ka vendin”, pas shumë polemikave për zhvendosjen e tij për shkak të mos dhënies së lejes për tokën nga ministria e Planifikimit Hapësiror.

Kurti potencoi se Kosova sivjet po shënon njërin ndër vitet më të suksesshme në aspektin artistik.

“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm.”, shkroi Kurti.

Më tej ka shtuar se është koha për t’i thënë faleminderit Lipës dhe ekipit të saj për promovimin që i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe çështjes së liberalizimit të vizave.

“Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, përfundon Kurti.

Theksomë se të dielën është nata e fundit e festivalit më të madh në rajon “Sunny Hill”, që po mbahet në Prishtinë.

Sunny Hill

“Sunny Hill”, për katër ditë priti artistë të ndryshëm të vendit e të huaj.

Prej një pjesëmarrje masive të njerëzve në rreth 20 mijë çdo natë “Sunny Hill” shënoj suksesshëm edicionin e 3-të.

Në skenën e këtij festivali u ngjitën shumë artistë të famshëm botërorë si: Dua Lipa, që është vetë themeluesja e festivalit, artisti kolombian J Balvin, Mahmood, Azet e Zuna Skepta, Elvana Gjata, Dhurata Dora, Ledri Vula, Ghetto Geasy Yll Limani, Mc Kresha.

Ndërkaq, në natën përmbyllëse të festivalit do të përformojnë artistët si: Diplo, Regard, Burak Yeter, Romeo Blanco, Labi Ramaj, Jimpong, Art Haliti, Vertigeux, Caboo, Bookie, Rrrron dhe Adrian.

Festivali “Sunny Hill”, filloj më 4 gusht./Shqip.com