Lajme

Kurti i reagon gjyqësorit: Kur njerëzit mësohen me privilegje, heqja e tyre u duket padrejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar këtë të premte vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka pezulluar vendimin e Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë.

Në një deklarim për media, Kurti ka thënë se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi. Por, sipas tij, kjo nuk është padrejtësi, por se privilegjet kanë qenë të padrejta.

“Po e ritheksoj se pagat në sektorin publik në përgjithësi do të rregullohet me këto dy ligje të reja, të cilët tashmë kanë shkuar në Kuvend për lexim të parë; është ligji mbi Pagat dhe ai mbi Zyrtarët Publikë. Andaj, është e domosdoshme që të gjithë të përqendrohemi tek këto dy ligje të reja e të mos kërkoj askush zgjidhje të privilegjuar.

“Bindja ime e fuqishme nga ajo çfarë po ndodh këto ditë me grevën e gjyqtarëve dhe prokurorëve është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi, por kjo nuk do të thotë se është padrejtësi, do të thotë se privilegjet kanë qenë të padrejta”, është shprehur kreu i ekzekutivit.

Këto deklarata ai i bëri pas vizitës në Hendikos, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

/Shqip.com