Lajme

Kurti: I kuptoj ndërkombëtarët, por çdo veprim tjetër do ishte mos përmbushjeve e obligimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në orët e mëngjesit iu drejtua qytetarëve, një ditë pas situatës së tensionuar në veri të vendit.

Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.

Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

Sipas tij, të gjitha rrugët në veri janë të kalueshme, derisa ka falenderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës “për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”.

Ndryshe, Kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre, me asistim të Policisë. Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët. I pari që reagoi ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier dënoi veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.

/Shqip.com