Lajme

Kurti: I kam 144 arsye për ta votuar Arben Vitinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se i ka “144 arsye për ta votuar” Arben Vitinë për kryetar të Prishtinës.

Por, e përmendi njërën nga to – që është siç thotë kryeministri; mbështetja e Qeverisë “për planet e tij konkrete”.

“Beni do ta ketë mbështetjen time të plotë për planet e tij konkrete dhe të zbatueshme me të cilat do të zhvillohet Prishtina”.

Kurti ftoi kryeparlamentarin dhe ministrat e tij që ta tregojnë mënyrën sesi do ta përkrahin Arben Vitinë.

“I ftoj edhe kolegët e mi – Glauk Konjufca, Hekuran Muratin, Artane Rizvanolli, Hajrulla Cekun, Rozeta Hajdarin, Donika Gërvallan e të tjerët t’i tregojnë me video arsyet dhe planet e tyre për ta mbështetë Benin në transformimin e Prishtinës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Të hënën, zyrtarisht është hapur fushata zgjedhore për balotazhin e 14 nëntorit.

Do të zgjasë pesë ditë – deri të shtunën, kur fillon heshtja zgjedhore.

Më pastaj, 14 nëntor – qytetarët e 21 komunave të mbetura në raundin e dytë do të vendosin për kryetarin e tyre. /Shqip.com