Lajme

Kurti i dërgon letër falënderimi kryeministrit të Kroacisë

Albin Kurti dhe Andrej Plenkoviq

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka dërguar letër homologut kroat, Andrej Plenkoviq, përmes së cilës i ka shprehur falënderim për ndihmën e dhënë ndaj të aksidentuarve në Kroaci, njofton Shqip.com.

Përmes një komunikate, Kurti ka deklaruar se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate shpërfaqi vlerat më të larta “dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

“Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona”.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë”, thuhet në komunikatë.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë “aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenkoviq”.

Në aksidentin e 25 korrikut që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës, mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.

Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.

Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.

Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./SHQIP.com