Lajme

Kurti flet për të arriturat e Kosovës brenda këtyre ditëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për çështjen e liberalizmit të vizave, njohjen e pasaportave nga Spanja për të udhëtuar, targat, si dhe çështjen e rrymës në veri që do të fillojë të paguhet përmes Elektroseverit.

Ai ka thënë se këto rezultate janë edhe  rrjedhojë e një pune të gjatë të institucioneve, punonjësit e shtetit, partnerët ndërkombëtarë, si dhe qytetarët – të cilët Kurti i falënderoi.

”Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës”, ka shkruar ai.

“Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej. Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

/Shqip.com