Lajme

Kurti flet për takimin në Ohër dhe refuzimin e Planit të BE-së nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe një herë për takimin e ardhshëm në mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të diskutuar lidhur me planin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Në adresimin e tij përmes një video-mesazhi për edicionin e 11-të të Forumit të Mannheim-it, organizuar nga iniciativa e studentëve të Universitetit Mannheim-it, Kurti përmendi edhe refuzimin e këtij plani nga ana e Serbisë.

“Në takimin trilateral në Bruksel më 27 shkurt, unë ofrova që në emër të Kosovës të nënshkruhet marrëveshja bazë. Për fat të keq presidenti i Serbisë refuzoi e këtë refuzim ai e bëri publik pasi doli nga takimi”, tha Kurti.

Ai tha se shpreson që refuzimi i Serbisë nuk lidhet me përmbajtjen e planit.

“Javën e ardhshme ne përsëri do të takohemi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut. Unë shpresoj që refuzimi i Serbisë që ta nënshkruaj propozimin në Bruksel nuk është indikacion që ata nuk pajtohen me përmbajtjen”.

Kurse, për normalizmin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve, Kurti tha se njohja reciproke duhet të jetë pjesë qendrore e marrëveshjes.

Çdo ditë ne dëshmojmë kreativitetin dhe konstruktivitetin. Ne besojmë që marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbën avancimin drejt njohjes reciproke mes dy shteteve. Ne besojmë që normalizimi i plotë i raporteve kërkon njohjen e tillë, si pjesë qendrore e marrëveshjes”, tha ai.

Tutje, ai tha se siguria dhe paqja në rajon dhe pjesën tjetër të Evropës është shumë e nevojshme.

I pari i ekzekutivit potencoi se ata nuk kanë dyshim që Kosova është proevropian dhe vendi i saj është në BE.

/Shqip.com