Lajme

Kurti flet për takimin Bislimi-Lajçak-Petkoviç

Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, është caktuar për të martën, 4 prill, kanë konfirmuar zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Për këtë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai është shprehur se në këtë takim do të diskutohet për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Javën e ardhshëm, do të diskutohet për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është publike për të gjithë, dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të asaj marrëveshje”.

Lexo edhe:
Bislimi dhe Petkoviq takohen më 4 prill në Bruksel

Kurti më tutje ka thënë se marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.

“Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet , ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm, pra nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes prandaj atë nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesë e preferuara”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se fjalë urgjencë nuk është tek zbatimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe por tek çështja e të pagjeturve.

/Shqip.com