Lajme

Kurti fajëson ish-qeveritë për krizën energjetike: Edhe vetë jam i frustruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar qeveritë e kaluara për krizën energjetike duke thënë se “e kanë lënë Kosovën në terr”, përcjell Shqip.com.

Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kritikoi ish-qeveritë për gjendjen në të cilën ndodhet shteti duke thënë se kanë gjetur vendin “të shtrirë përtokë që gjakonte”.

Lexo edhe:
Kurti: Po e përmbyllim vitin me rritje prej 9.9 për qind të ekonomisë

“Tash po përballemi edhe me një sfidë tjetër, Kriza energjetike e shkaktuar sa nga faktor të jashtëm jashtë kontrollit tonë po aq edhe nga mungesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për më tepër se dy dekada. Derisa kërkesa për energji nga qytetarët e ekonomitë është rritur për çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje e vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai theksoi se e kupton frustrimin e qytetarëve dhe se është edhe vetë i frustruar për krizën energjetike të shkaktuar në vend.

“E kuptoj frustrimin e secilit qytetar me mungesën e energjisë elektrike, më besoni edhe vet jam i frustruar. Por, le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën e lanë shtetin ata që qeverisën për dy dekada, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën jashtë syve të qytetarëve, ata s’kishin si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterrë”, shtoi ai./SHQIP.com