Lajme

E përditësuar / Kurti e Vuçiq përballen në OKB për shkak të dinarit

Britania kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së

Mbretëria e Bashkuar tha se veprimet e fundit të Kosovës kanë pasur për synim të rregullojnë operacionet me valuta të huaja, por zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, deri më tani ka treguar se ka shpërfillur ndikimin që kjo rregullore ka ndaj komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar bëri thirrje për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe kërkoi që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet ekzistuese të dialogut dhe të shmangin veprime të njëanshme.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjës personat që u përfshin në sulmin në Banjskë.

Kina: Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Përfaqësuesi i Kinës në OKB bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, duke dënuar veprimet “e njëanshme” të Kosovës, sa i përket ndalimit të dinarit.

“Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe as nuk kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit. I bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet dhe të heqë dorë nga vendimin për dinarin dhe të heqë dorë nga veprimet që mund të tensionojnë situatën”, tha përfaqësuesi kinez.

Ai tha se tensionet ndëretnike në Kosovë , “kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe kjo nuk është në interesin e askujt”, duke përsëritur se qëndrimi i Kinës mbetet i njëjtë, që mes palëve të ketë një zgjidhje politike që do të respektonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

SHBA ngre shqetësime për “kërcënimet e sigurisë që vijnë nga jashtë”

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, po ashtu foli për çështjen e sigurisë në Kosovë dhe për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023.

Ajo tha se “kërcënimet akute të sigurisë dhe stabilitetit vijnë jashtë Kosovës”.

Ajo sërish dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë nga një grup i serbëve të armatosur, duke theksuar se personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.

Dialogu i BE-së, tha ajo, është mekanizmi për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë “në mes të këtij cikli krizash”.

“Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj janë ligjërisht të obligueshme”, tha ajo.

SHBA-ja sërish kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se shteti i saj ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Sipas saj, ndërprerja e dërgesave për përfitimet shoqërore duhet të minimizohet “derisa të përfundojë tranzicioni dhe ne po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim”.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për “veprimet e pakordinuara të Qeverisë së Kosovës” sa i përket mbylljes së zyrave të institucioneve që Serbia mbështet në Kosovë dhe për mbylljen e zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.

“Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”.

SHBA kërkon që palët të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”.

Ajo tha se Uashingtoni është i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Është qëllimi që ne dhe partnerët tanë kemi vendosur për të nxitur demokracinë, integrimin ekonomik rajonal, shoqërinë multientike dhe sundimin e ligjit”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Rusia e akuzon Kosovën për “spastrim etnik” ndaj serbëve

Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi Kosovën se po kryen veprime që përbëjnë “spastrim etnik” që tha se po injorohen nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Ai paralajmëroi se në Ballkanin Perëndimor mund të shpërthejë një konflikt i ri, duke e krahasuar situatën e palestinezëve në Rripin e Gazës me serbët që jetojnë në Kosovë.

Ai tha se ndalimi i dinarit “është një hap kriminal dhe ua bën jetën e padurueshme qytetarëve” serbë, sepse sipas ambasadorit rus, serbët rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe ndihma të tjera që pranojnë nga Serbia.

Kurti: Serbia të ndalë financimin e kriminelëve dhe terroristëve në Kosovë

Në fjalën e tij para OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Banka Qendrore e Kosovës po sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.

“BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë”, tha ai.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por mbron të gjithë qytetarët e çdo etnike nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.

Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.

“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të durohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.

Kurti: BQK do marrëveshje me palën serbe për dinarin

Në fjalën e tij para OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Banka Qendrore e Kosovës po sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.

“BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë”, tha ai.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por mbron të gjithë qytetarët e çdo etnike nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.

Kurti: BQK-ja nuk ia ndalon Serbisë të ndihmojë serbët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.

“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.

Kurti flet për akuzën e spastrimit etnik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu përgjigjur akuzave të Vuçiqit, tha se gjuha serbe është zyrtare kudo në Kosovë dhe buxheti për komunat ku jetojnë serbët është më i lartë krahasuar me komunat e tjera.

“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.

Kurti i cilëson të rreme akuzat e Vuçiqit për shkeljen e të drejtave të serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.

Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet, që sipas tij, ka qeverisje autoritare.

Vuçiq: Serbët po largohen për shkak të dhunës sistematike

Vuçiq tha se serbët në Kosovë po përndiqen nga gjyqësori në Kosovë.

Ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova. Sipas tij, ata janë larguar për shkak të dhunës sistematike dhe të përhapur ndaj tyre nga institucionet e Kosovës.

Vendimi për dinarin, sipas tij, është shembulli i fundit i përndjekjes ndaj serbëve në Kosovë.

Vuçiq: Situata e serbëve u përkeqësua pas zgjedhjeve në Veri

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli edhe për zgjedhjet lokale të prillit të vitit të kaluar në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Këto zgjedhje, pas bojkotit të serbëve, u fituan nga partitë shqiptare.

Vuçiq tha se situata e serbëve në Kosovë u përkeqësua pas këtyre zgjedhjeve. Ai tha se vetëm 3 për qind e votuesve ishin serbë, duke akuzuar kryetarët shqiptarë se kanë zaptuar komunat.

Ai tha se dëgjoi kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, duke iu kërkuar serbëve që të nisin procedurat e një peticioni për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Vuçiq: Vendimi për dinarin, sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Me vendimin për ndalimin e dinarit, Kosova po krijon “kushte të padurueshme të jetës për serbët në Kosovë”, tha Vuçiq, duke akuzuar Prishtinën se po kryen “sulme të përhapura sistematike” ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Në një situatë të tillë, pa një reagim të duhur, mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, tha ai.

Sipas Vuçiqit, rregullorja e BQK-së është “goditje ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Me vendimin për të ndaluar transaksionet për dinarin, regjimi në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndalon çdo operacion në të gjitha institucionet shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore, që u mundësojnë serbëve që të kenë gjërat bazë”, tha Vuçiq.

UNMIK kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së është shndërruar në shqetësim për komunitetin lokal dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë, pasi që tha se nga ky vendim preken dhjetëra mijëra serbë që marrin përfitime të ndryshme financiare nga Serbia.

“Dua të rikthesoj se veprimet, pavarësisht ligjshmërisë, duhet të marrin parasysh ndikimin te komunitetet që prekin”, tha ajo.

“Në të kundërtën, këto veprime rrisin tensionet”, tha Ziadeh, duke përmendur se vetëm ditë më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se rregullorja do të zbatohet përmes një periudhe tranzicioni dhe publiku do të informohet më shumë rreth vendimit të BQK-së.

Shefja e UNMIK-ut tha se zgjidhja për vendimet e fundit është vetëm përmes dialogut.

Mbyllja e komunave paralele

Në kërkesën e Serbisë për mbajtjen e seancës në OKB, u përmend edhe mbyllja e komunave që ajo ka në Kosovë.

Javëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur shtatë komuna, që funksiononin sipas sistemit serb.

Rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Kjo rregullore parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Valutën kombëtare të Serbisë, serbët në Kosovë e kanë përdorur që nga përfundimi i luftës më 1999.

Po ashtu, Serbia ua paguan qytetarëve serbë të Kosovës, përmes një sistemi paralele, pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka thënë se nga vendimi i BQK-së do të preken afër 100.000 serbë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Nis seanca

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë mbledhje, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq Kosova pritet të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Në mbledhje e pranishme është edhe shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh. /REL

/Shqip.com