Lajme

Kurti e informon kryeministrin irlandez për zhvillimet e fundit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar. Gjatë takimit ata folën për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale. Bashkë diskutuan për mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Në njoftim, thuhet se Kurti i ka paraqitur kryeministrit irlandez ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë.

“Duke u shprehur falënderues për mikpritjen që ka pranuar në Dublin dhe për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com