Lajme

Kurti: Dy ligjet e miratuara sot janë hap i madh përpara ndryshimit thelbësor

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dy ligjet e miratuara sot në Kuvend, ai për Zyrtarët Publikë dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, janë një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin qytetarët e vendit.

Ai ka shkruar në rrjetin Facebook, se përmes ligjit për zyrtarët publikë, do të rriten kapacitetet e ofrimit të shërbimeve për qytetarë.

“Përmes këtij ligji, ne do ta ngrisim profesionalizmin e administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, Ligji i Pagave në Sektorin Publik, sipas Kurtit ka në qendër transparencën dhe barazinë.

“Ndërsa Ligji i Pagave në Sektorin Publik themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.

Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë”, ka shkruar Kurti.

Në fund, kreu i ekzekutivit ka “falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet dhe ka sigurar se reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase”.

/Shqip.com