Lajme

Kurti: Drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën në Lybeniq të Pejës dhe masakrën në Gjakovë.

Kurti ka shkruar se drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë.

“Më 1 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe të udhëhequra nga grupi “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit Lybeniq të Pejës. Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, i ekzekutuan mbi 80 persona në mënyrën më mizore. Në mesin e të masakruarve kishte burra, gra e fëmijë. U vra edhe një foshnje 18 muajshe”, ka shkruar Kurti.

 Kryeministri i Kosovës ka thënë se në Lybeniq u vra, u masakrua dhe u zhduk edhe një grua shtatzënë.

“Në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë, u masakruan mbi 60 burra, gra e fëmijë. Anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, bashkë me shtëpi u dogjën të gjallë e të vdekur. Në mesin e vrasësve kishte edhe fqinjë të tyre”, ka shkruar ndër të tjera i pari i Qeverisë së Kosovës./Shqip.com