Lajme

Kurti: Do t’i mbështesim qytetarët për konsum deri në 800 kWh pas shtrenjtimit të rrymës

Albin Kurti

Në takimin me kryetarët e Komunave, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se pas shtrenjtimit të fundit të rrymës, do të subvencionojnë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kWh në muaj, ndërsa grupet e cenueshme do të kenë trajtim të veçantë.

Tutje, i pari i qeverisë pohoi se ka pasur rezultate të menjëhershme të masave të cilat qeveria i ka aplikuar gjatë këtij dimri.

“Mbështetja për qytetarët do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të ZRrE-së ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”, ka theksuar Kurti.

I pari i ekzekutivit ka thënë se janë renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike, duke e ulur konsumin e energjisë.

“Me rreth 9 milionë euro kemi rinovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike. Shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikëseve, duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë. Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas, kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri, falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian këto masa të dëshmuara po e shumëfishojnë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë”, ka shtuar kryeministri.

Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë eurove të përkrahur nga Bashkimi Evropian, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave të efiçencës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë eurove.

Në takimin ku u diskutua për masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike evropiane dhe masat e efiçencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore të destinuara për banim social (në pronësi komunale).

/Shqip.com