Lajme

Kurti: Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, të dielën, pas një bisede që kishte me sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Në bisedat telefonike sot me Borrellin dhe Stoltenbergun ne diskutuam sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë dhe nevojën për de-përshkallëzim në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”, deklaroi kreu i ekzekutivit në Twitter.

Po atë ditë, kishte reagime nga NATO dhe Bashkimi Evropian për situatën në Veriun e Kosovës.

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se dialogu është zgjidhja e vetme lidhur me situatën në veri.

Ndërsa, Josep Borrell, kërkoi që të largohen Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës si dhe bllokadat nëpër rrugët kryesore të veriut.

NATO dhe Bashkimi Evropian.

Situata në Veriun e Kosovës

Sot ka shënuar dita e tetë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak – për ta zbatuar reciprocitetin në targa.

Kundërshtimi i serbëve lokalë ishte i menjëhershëm, pos protestave në rrugë ata edhe i bllokuan ato duke vendosur kamionë si pengesa.

Lexo edhe:
Rama pritet në Prishtinë me ceremoni shtetërore

Policët kosovarë duhet të ndjekin rrugë alternativa për t’iu shmangur pengesave.

Ndërsa, netët janë me zhurma – serbët këndojnë këngë nacionaliste.

Deklarata po aq nacionaliste kishte dhënë të martën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se “do i japin Prishtinës kohë t’i përmirësojnë gabimet ose do të marrin masa”.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin, po pret pikërisht urdhrin e Vuçiqit për intervenim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Nuk janë veç fjalë – disa veprime janë bërë tashmë.

Gjatë dy ditëve të fundit helikopterët serbë shihen duke patrulluar në kufirin Kosovë – Serbi.

Ushtria e Serbisë është e pozicionuar afër kufirit me Kosovën.

Ndërkaq, brenda kufirit të Kosovës, të shtunën është sulmuar me granata Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok. /Shqip.com

Veriu i Kosovës