Lajme

Kurti dhe Sveçla takohen me ambasadorët e shteteve të QUINT-i dhe përfaqësuesin e BE-së, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të zyrës së kryeministrit.

“U diskutua për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat tjera të ndërlidhura. Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Gjithashtu, në këtë takim është biseduar për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë për trajtimin e çështjes së targave.

Tutje, Kurti ka theksuar se Qeveria është e angazhuar në zbatimin e udhërrëfyesit të ri të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

Gjatë këtij takimi është biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe përfaqësueseve të BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë./Shqip.com