Lajme

Kurti dhe Peach bisedojnë në telefon për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur me anë të telefonit me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, gjatë bisedës u diskutua edhe për Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Duke biseduar për Ballkanin Perëndimor, u theksua rëndësia për më shumë koordinim në politikën rajonale, me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike, për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjërë”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Po ashtu, Kurti ka përmendur edhe angazhimin e Qeverisë që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

“Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s. Ndërsa lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, Kryeministri potencoi se Republika e Kosovës ka bashkërenduar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian”.

Tutje, në njoftim thuhet se Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve.

Gjatë bisedës me Peach, në emër të Qeverisë së Kosovës, Kurti i shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabetë II.

/Shqip.com