Kurti: Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga organet e drejtësisë dhe hetuesit që personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare të marrin dënimin meritor.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale. Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër”, ka thënë Kurti.
Dhunimi i 11-vjeçares, caktohet masa e paraburgimit edhe për të arrestuarin e dytë
Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku, ka shtuar më tutje Kurti.
Gjatë ditës së sotme është publikuar dosja e prokurorit lidhur me rastin e dhunimit të së miturës dje nga disa persona në Prishtinë.
Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park derisa ishte duke ecur
Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar Kallxo.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht./Shqip.com