Lajme

Kurti: Dëm që nuk u nënshkrua marrëveshja, pasi u pajtuam – pala serbe refuzoi

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, kryeministri i Kosovës është deklaruar se është zhvilluar një takim pozitiv e konstruktiv.

“Sot patëm një takim pozitiv, konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara”, ka thënë Kurti

Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes por që kjo është refuzua nga pala serbe.

“Unë besoj që është koha të mos jap interpretime dominuese pikërisht në momentin kur ky tekst mund të lexohet nga të gjithë, por kjo marrëveshje vendos barazinë e palëve, është e fqinjësisë së mirë. Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar. Kam shprehur gatishmërinë që të nënshkruaj këtë tekst. Mendoj që është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqenëse ne u pajtuam. Konfirmimi i pranimit natyrisht se duhet të rezultonte me nënshkrim por ishte pala serbe që nuk e nënshkroi meqenëse u pajtua”, tha Kurti.

Kur është pyetur rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka thënë se tashmë përgjigja e tij vazhdon të jetë e njejtë.

“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë”, tha Kurti.

/Shqip.com