Lajme

Kurti deklaron se Qeveria parandaloi një rritje më të madhe të faturave të energjisë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka deklaruar se zotimi i Qeverisë për ndarjen e 100 milionë eurove për subvencionimin e energjisë elektrike ka ndikuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike e cila nuk ka rritur tarifat e energjisë elektrike në atë masë saqë qytetarët nuk mund të përballojnë.

Ai ka thënë se vendimi i ZRRE-së është racional.

Kurti është shprehur se mungesa e kapaciteteve prodhuese energjetike në vend dhe importi i shtrenjtë i energjisë elektrike e kanë bërë të pamundur që të mos ndërmerren këto masa. 

Ndërkaq është shprehur se 70 përqind e konsumatorëve shtëpiak do të preken minimalisht nga vendimi i ZRRE-së.

“Në rast të konsumit deri në 850 kilovatë orë dallimi ndërmjet faturës së vjetër dhe asaj të re do të jetë minimal. Pra një rritje prej 5 përqind apo rreth 2 euro e gjysmë më shumë në muaj.

“Në rast të konsumit deri 1 mijë kilovatë orë ata konsumatorë do të paguajnë 10 euro më shumë në muaj dhe ata të cilët shpenzojnë 1 mijë e 200 kilovatë në muaj atëherë do të paguajnë 20 euro më shumë”

“Sipas të dhënave tona bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar 70.4 përqind e konsumatorëve shtëpiak gjatë dimrit shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovatë orë në muaj. Falë subvencionimit të Qeverisë 70.4 përqind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimit apo do të preken minimalisht”, është shprehur Kurti.

Ndryshe kryeministri i Kosovës ka deklaruar se ata të cilët shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë nuk do të preken fare nga shtrenjtimi i rrymës ndërkaq është ndarë i kënaqur me vendimin e ZRRE-së për pragun e bllok tarifës nga 600 kilovatë orë në 800 kilovatë në orë. /Shqip.com