Lajme

Kurti deklarohet pas takimit me Lajçak: Plani i BE-së duhet të ketë njohjen reciproke në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se plani i ashtuquajtur franko-gjerman, duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

“Diplomacia fluturuese iu është bashkangjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme, është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër”, ka thënë Kurti.

Lexo edhe:
Hovenier: Kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme

Në anën tjetër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier nuk ka pranuar që ti komentojë zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në momentin që ai është pyetur për zhvillimet e fundit ka thënë se për këtë do të flaës javën e ardhshme.

“Jo, kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme” – është përgjigjur shkurt Hovenier.

Gjatë ditës së djeshme, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Kështu ka bërë të ditur vetë Lajçak përmes një postimi në Tëitter.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht” ka shkruar Lajçak.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar edhe njëherë Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price përmes një konferencë për media ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM) në Kosovë.

/Shqip.com