Lajme

Kurti: 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor mbi legalitetin shtypës të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Deklarata Kushtetuese që njihte Kosovën si njësi të pavarur nga Jugosllavia ishte akt i vetëvendosjes politike për liri.

Këtë e tha Kurti, përmes një postimi në Facebook, me rastin e 32 vjetorit të shpalljes së kësaj deklarate.

“Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim”, shkroi Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se me krenari kujton delegatët që nënshkruan këtë deklaratë.

“Si sot 32 vjet më parë delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën e Kushtetutës e cila tashmë njihet si Deklarata e 2 korrikut. Me miratimin e asaj deklarate, Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës e cila u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake”.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës./Shqip.com