Lajme

Kurti: Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm.

Në fjalën e tij, kryetari i kësaj partie Albin Kurti ka folur edhe për rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.

Kurti ka thënë se çmimet po rriten dhe për këtë arsye është mirë që të kursejmë.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur për punën e Ministrave të tij.

“Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj, ministrat në Qeverinë e Kosovës nuk janë shefa, por udhëheqës. Modestia është cilësia që na duhet ,e shoqëruar me vendosmëri që e kemi pasur. Ministrat e dinë që do të kenë ndryshime. Do të merren për bazë rezultatet e punës” ka shtuar Kurti.

Pandemia e COVID-19, post-pandemia, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, tensionet mes Kinës e Tajvanit si dhe kriza klimatike në botë, ka ndikuar në rritjen e krizës ekonomike, ka shtuar më tutje Kurti./Shqip.com