Lajme

Kurti:Çdo shqiptar në diasporë është ambasador i yni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës”, që sot u ndal në Komunën e Podujevës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti ka thënë se mërgata e diaspora ka pasur rol të madhe në historinë e Kosovës.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, është shprehur Kurti.

Kurti po ashtu është shprehur se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe sot ne e kemi lirinë.

Foto nga aktiviteti

“Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për të mësuar shqipen më mirë dhe për t’u njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre, me kulturën e paraardhësve të tyre”, ka thënë Kurti

Ky aktivitet ka nisur ditë më parë me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve në vendlindjet e tyre dhe organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe me mbështetje edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit./Shqip.com