Lajme

Kurti: Bislimi ndodhet në Bruksel, 48 orë janë të mjaftueshme për çtensionim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar së zëvendësi i tij, Besnik Bislimi tashmë ndodhet në Bruksel për tu takuar m emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Përmes një konference për media, Kurti tha se 48 orë janë të mjaftueshme për çtensionim.

“Tani dhamë edhe 48 orë meqenëse brengat dhe shqetësimet e mëdha të faktorëve ndërkombëtar në veçanti të SHBA-vë për mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë në mëngjesin e ditës së djeshme, 48 orë janë të mjaftueshme për çtensionim dhe për një shanse të re për bisedime ku tani ndodhet zëvendësi im Besnik Bislimi në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak”, tha Kurti.

Kurti tha se në këtë takim do të bëhet përpjekje që të arrihet një dakordim.

“Do të ketë një takim në përpjekje që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë dhe gatishmërinë e vazhdueshme”.

I pari i ekzekutivit foli edhe për situatën kur forcat serbe u grumbulluan rreth kufirit të Kosovës në vitin e kaluar.

Kurti tha se që nga atëherë, për gjashtë muaj ka pasur takime në mes palëve ku janë prezantuar tetë opsione për zgjidhjen e situatës në Kosovë.

“Tetë opsione kanë qenë përgjatë gjashtë muajsh nga Bashkimi Evropian për dialogun me Serbinë. Ju  e keni parasysh atë shtatorin e vitit 2021, kur u patën grumbulluar forcat serbe rrotull kufirit të Kosovës. Qe prej atëherë, gjashtë muaj është negociuar përmes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve teknike dhe kanë ardhur në një përfundim me anën e ndërmjetësit se tetë modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët që ta përzgjedhin modelin e preferuar”.

Sipas Kurtit, Kosova i ka cilësuar si tri më të pëlqyeshme ndërsa Serbia ka refuzuar të gjitha opsionet

“Por nëse palët nuk e zgjedhin të njëjtin model, duhet vazhduar negociatat. Nëse Kosova do të përzgjidhte njërin model prej tetë modeleve dhe Serbia një tjetër model, do të duhej të  vazhdonin negociatat. Tri nga tetë kanë qenë të pranueshme për Kosovën ndërsa pesë të tjera jo, ndërsa Serbia ka refuzuar tetë opsionet”.

Krahas kësaj, kreu i shtetit tha se këto gjera mund t’i bëjë publike vetëm BE-ja sepse ndryshe do të akuzohej për dëmtim të procesit.

“Është Bashkimi Evropian i cili mund t’i bëjë publike këto gjera. Nëse ne do t’i bënim publike, ne do të fajësoheshim pastaj për dëmtim të procesit. Pra, ndërmjetësi vendos për këtë gjë. Unë po iu informojë se ne kemi qenë të gatshëm”.

Tutje, Kurti tha se ata kanë qenë të gatshëm të suspendojnë vendimin për targa në rast se Serbia të mos lëshoje targa të kohës së Millosheviqit.

/Shqip.com