Lajme

Kurti: Bëhemi bashkë që fëmijët të mos kalojnë në vuajtjet e humbjet që i kaluam ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në shënim të 24-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe atje.

Në adresimin e tij për media, Kurti tha se duhet të bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezi i ardhshëm të mos kalojnë nëpër vuajtjet që ata kanë kaluar.

“Sot, si institucione të shtetit, me përgjegjësi dhe qytetarë të republikës me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezi i ardhshëm të mos kalojnë në këto vuajtje e humbje të cilat i kaluam ne por në të njëjtën kohë të kenë të ardhme të ndritshme me një Kosovë, rajon, Evropë që është e lirë e bashkuar dhe e mbrojtur nga çdo lloj agresioni, lavdi Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Kurti.

Kurti tha se çdo fillim i pranverës na bën që ti kujtojmë ata që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

“Çdo fillim pranvere ne i kujtojmë ata që dhanë jetën e tyre, luftuan  heroikisht për çlirimin e Kosovës, lirinë e pavarësinë. Këtu në Krushë, në vendlindjen e profesorit Ukshin Hoti të cilit i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe për përpjekjen tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin që na shërben të gjithëve si Republike”.

Madje, Kurti përkujtoi të gjithë ata burra e gra në krye me Ukshin Hotin duke thënë se përkulemi më shumë mall e dhimbje.

“Këtu përkulemi me shumë mall dhembje e pikëllim dhe në të njëjtën kohë me dashuri admirim dhe krenari që i patëm këta burra dhe gra në krye me Ukshin Hotin dhe e arritëm çlirimin e vendit dhe njëkohësisht e kemi udhërrëfyesin se si të ecim përpara pa u ndalur për shkak të rënjes së tyre me flijim dhe sakrificë”.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, përveç personave të vrarë e masakruar, në fshatin Krushë të Rahovecit janë shoqëruar e djegur edhe 893 shtëpi.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat me vrasje më masive nga paramilitarët, policia dhe ushtria serbe.

/Shqip.com