Lajme

Kurti: Angazhimi i grave s’ka munguar asnjëherë në shtet-ndërtim

Kryeministri Albin Kurti, gjatë Forumit Ndërkombëtar Gratë, Paqja dhe Siguria, tha se angazhimi i grave dhe vajzave në Kosovë s’ka munguar asnjëherë në shtet-ndërtim.

Sipas Kurtit, gratë i përgjigjen thirrjeve për paqe dhe siguri, sikur të jetë përpjekja e tyre jetësore, e kjo sipas tij është sepse ato kërcënohen më së shumti nga mungesa e këtyre elementeve.

“Nuk ka pasur ndonjë fazë që gratë s’janë angazhuar me thirrje e përpjekje për liri e paqe. Angazhimi i grave dhe vajzave në Kosovë s’ka munguar  asnjëherë në shtet-ndërtim por nuk mungon as në funksionimin e shtetit tonë të përditshëm”, tha Kurti.

Tutje, ai tha se numri i grave dha vajzave që shërbejnë në FSK e në Policinë e Kosovës është substancial por edhe duhet të rritet tutje.

“Nuk ka garanci më të madhe për paqen dhe sigurinë, përveç se të realizohet nga gratë dhe burrat së bashku por edhe s’ka alternativë tjetër. Është garancia më e madhe, më e drejtë dhe më e fuqishme e mundshme. Më shumë gra në FSK nënkupton promovim dhe realizim më të mirë të të drejtave të njeriut por edhe të pakicave”, shtoi tutje Kurti.

Kryeministri gjithashtu potencoi se intersimi i grave dhe vajzave në fusha të sigurisë është indikacion i mirë i së ardhmes pasi që ato kanë sakrifikuar shumë, duke qenë edhe viktima edhe luftëtare.

/Shqip.com