Lajme

Kurti: Abdixhiku dhe Krasniqi po flasin si aktivistë të dorëhequr të LVV-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ‘përplasur’ verbalisht me krerët e opozitës, Lumir Abdixhikun nga LDK dhe Memli Krasniqin nga PDK.

Në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohet për takimin dhe marrëveshjen e Ohrit, Kurti iu tha krerëve të opozitës se po flasin si me qenë aktivistë të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Krasniqi dhe Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes e që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin. Po me duket vetja si me qenë në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ju jeni parti të tjera dhe jo VV”, tha Kurti.

Madje, Kurti ripërsëritë edhe një deklaratë të anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hysenit për Abdixhikun.

“Po më kujtohet deklarata e Skender Hysenit që pati thënë se Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK. Pra, pushoni me diskursin e aktivistit të pakënaqur të LVV-së e që ka dhënë dorëheqje. Prezantoni vizion, ide dhe jo pakënaqësi si me qenë anëtarë të LVV-së. I kam thënë herën e kaluar se opozitarizmi bëhet o me kritikë racionale o me zemërim revolucionar ose me të dyja e jo pa asnjërën”.

Deklarata e Kurtit erdhi pas akuzave të opozitarëve se Kurti ka thyer premtimet e tij që kishte para se të vinte në pushtet e që kishin të bënin pikërisht me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë e që është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

/Shqip.com