Lajme

Kurti: “28 nëntori – festë e shumëfishtë”, përmend Adem Jasharin dhe UÇK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se 28 nëntori është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar, njofton Shqip.com.

Kështu është shprehur ai në pritjen e organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me rastin e 109 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Kurti në fjalën e tij u uroi të pranishmëve Ditën e Flamurit ku përmendi këtë ditë si festë të shumëfishtë për kombin shqiptar.

“Përveçse Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Pra, “një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bën të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat tona, e të cilat janë edhe ideali i dëshmorëve e martirëve të kombit, por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë e të fëmijëve tonë” thuhej në një njoftim për media të zyrës së Kryeministrit.

Kreu i Qeverisë më tej u shpreh se Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij.

“Tani është detyrë e jona që këto shtëpi të jenë të forta dhe në mbështetje edhe për shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe Diasporë. Duke ua uruar edhe një herë 28 Nëntorin, ai në fund tha se kjo datë dhe kujtesa e aktit të kësaj date na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat dhe se ka besimi se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë”, tha ai.

Në këtë organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, të ftuar ishin edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, anëtarë të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë shtetërorë, kryetarë të partive politike, profesorë e intelektualë. /Shqip.com