Kulturë

“Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” – thirrja e artistit për të ndriçuar “Grand Hotel”

Prishtina do t’i nënshtrohet një sërë aktiviteteve kulturore në korrik në kuadër të “Manifesta 14”.

Ndër objektet ku do të zhvillohen këto aktiviteti do të jetë edhe Grand Hotel.

Ndërkaq, artisti nga Kosova, Petrit Halilaj i cili do të jetë gjithashtu pjesëmarrës i këtij edicioni, ka bërë një thirrje që të gjithë qytetarët të pikturojnë pjesë të hotelit.

“Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin do të jetë një gjithësi, të cilën ju ftoj ta pikturojmë dhe ndriçojmë bashkë më 22 korrik. Puna do të fillojë me shkronjat në maje të Grand Hotel Prishtina, me yjet e tij të cilat tash për tash janë të shkapërderdhura në kulm të kësaj ndërtese dhe të cilat do të rimontohen, shumohen dhe të shpërndahen nëpër krejt qytetin”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, Halilaj tregon edhe se si erdhi ideja për një organizim të tillë.

“Këto yje të rëna e të shpërndara në kulmin e Grand Hotelit i kam parë për herë të parë si imazhe që m’i ka dërguar shoqja ime e shtrenjtë Nita Deda. Ajo po xhironte një video për Manifesa 14, dhe kështu shkrepi shkëndija e parë e projektit. Menjëherë i asociova këto yje me ideologji të rëna”, thuhet tutje.

Ky projekt nuk është i paramenduar si vepër e përhershme ose si monument, por pas përfundimit të Manifesta 14, shkronjat do t’i kthehen Grand Hotelit.

‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ është porositur nga Manifesta 14 dhe mbështetet nga Autostrada Biennale dhe Ammodo./Shqip.com